Bashkimi Europian dënoi marrëveshjen e Turqisë me Libinë për kufijtë detarë, duke theksuar se shkel të Drejtën Ndërkombëtare.

Në tekstin e konkluzioneve të Samitit të Lartë në Bruksel vihet në dukje se i ashtuquajturi memorandum i mirëkuptimit Ankara-Tripoli «shkel të drejtat sovrane të shteteve të treta», nuk respekton të drejtën e detit dhe nuk mund të ketë pasoja ligjërisht detyruese.

Këshilli Evropian shpreh solidaritetin e tij për Greqinë dhe Qipron.

Më parë kryeministri Kyriákos Mitsotákis deklaroi në Bruksel: «Europa ngre mure diplomatike përballë provokimit turk. Vendi ynë në të gjithë këtë proces nuk është vetëm. Ka aleatë shumë të fortë. Vazhdojmë me gjakftohtësi dhe vetëbindje, por kryesisht me plan dhe me sigurinë se populli grek i bashkuar mbështet iniciativat tona».

Partia Socialiste Evropiane pranoi kërkesën e kryetarit të SYRIZA-s Aleksi Tsipra dhe kryetares së Lëvizjes për Ndryshimin, Fófi Gennimatá për sanksione të mëtejshme ndaj Turqisë.

Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të parlamentit të Libisë, Aguila Saleh Issa gjatë takimit që kishte në Athinë me kryetarin e parlamentit grek Konstantíno Tasoúla dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendia e karakterizoi të pavlefshme marrëveshjen që nënshkroi qeveria kombëtare e Libisë me Turqinë.

Një goditje tjetër kundër Turqisë është votimi unanim dhe nga Senati amerikan i rezolutës së Dhomës së Përfaqësuesve, i cili njeh Gjenocidin e Armenëve.