Kryeministri, Kyriákos Mitsotákis përmes mesazhit të tij njoftoi planin e qeverisë për ekonominë, punësimin dhe turizmin, të cilin e karakterizoi si një program – urë për muajt e ardhshëm.
Ky program është një paketë masash prej 24 miliard euro për forcimin e ekonomisë dhe punësimin.

Z.Mitsotakis pasi falënderoi qytetarët për përgjegjësinë që ata treguan deri më sot, tha se ndodhemi në fund të ciklit të parë të përpjekjes sonë me pandeminë, por edhe në pikënisjen e një periudhe të re, e cila do të ketë në qendër ekonominë dhe shoqërinë. Gjithashtu, plotësoi se paketa e masave të qeverisë ka një karakter social por dhe zhvillues.

Programi do të bazohet në tre akse: mbështetjen e punësimit, uljen e taksave dhe forcimin e bizneseve.

Sipas këtij programi do të vazhdojë deri në muajin Korrik subvencionimi i punës së ndaluar nga koronavirusi dhe për ato sektorë që janë goditur më shumë. Gjithashtu, do të vazhdojnë edhe të gjitha asistencat e papunësisë.

Plani për lehtësimin tatimor të qytetarëve dhe bizneseve parashikon për 5 muajt e ardhshëm, një ulje të TVSH-së nga 24% në 13% për çdo lloj bilete në transportin publik, por edhe një ulje të TVSH-së për produktet e kafesë dhe pijeve jo alkoolike. Në të njëjtën kohë do të njoftohen dhe programe për mbështetjen e turizmit vendas për qytetarët më të varfër nga ana ekonomike.

Nga data 1 Qershor deri më 30 Shtator hyn në fuqi dhe Mekanizmi për Mbështetjen e Punësimit, me zgjatjen e afatit të tij nëse dhe kur të jetë e nevojshme. Të gjitha kompanitë që kanë rënie të xhiros së tyre do të kenë të drejtë të marrin pjesë.

Sezoni turistik fillon më 15 Qershor dhe më 1 Korrik fillojnë fluturimet direkte në destinacionet turistike.