Policia Greke ka zbuluar dje në qendrën e shpërndarjes të Postave Greke në Kryonéri, tetë «pako» të dyshuara me lëndë plasëse, të cilat drejtoheshin për zyrtarë të lartë ekonomikë, por dhe për drejtues të lartë të kompanive të huaja.

Në mesin e tyre, është konfirmuar se dy nga ata ishin presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem dhe një zyrtar i lartë i Bankës Qendrore Evropiane.

Sipas policisë, të gjitha pakot që janë postuar nuk kanë vulat përkatëse.

Deri tani, për një nga paketat është konstatuar se është identike me ato që janë dërguar javën e kaluar në ministrinë e Financave të Gjermanisë në Berlin, drejtuar z.Schäuble dhe ajo që shpërtheu në zyrën e FMN-së në Paris, duke rezultuar në plagosjen e një punonjëse të organizatës ndërkombëtare.

Rikujtohet, se përgjegjësinë për dërgimin e pakos – bombë për z.Schäuble, e kishte marrë organizata terroriste «Komploti i Celulave të Zjarrit».