Qendrën e parë në nivel botëror për lirimin e delfinëve, që u rritën të robëruar, krijon «Instituti për Mbrojtjen e Detit – Archipélagos».

Qendra u krijua në një gji shumë të bukur dhe të vogël, në pjesën veriore të ishullit Lipsi dhe përbën djepin e nismës, për t’i dhënë fund shfrytëzimit të delfinëve në kopshtet zoologjike në të gjithë botën.

Drejtoresha e hulumtimit të Institutit për Mbrojtjen e Detit – Archipélagos» Anastasía Míliou deklaroi: «Vendosëm të krijojmë qendrën e parë në nivel botëror të jetës detare në Egje, duke dashur që me këtë mënyrë të arrijmë një qëllim të madh, por në të njëjtën kohë për të nderuar dhe trashëgiminë kulturore greke. Greqia ishte vendi i parë, që institucionalizoi mbrojtjen e delfinëve 2500 vjet më parë!».

Shfrytëzimi i delfinëve për shfaqje përpara fëmijëve dhe të rriturve ka filluar të kritikohet shumë nga organizatat mjedisore në mbarë botën. Megjithatë, Ligji Ndërkombëtar e ndalon lirimin e tyre në det të hapur.

Instituti «Archipélagos» vendosi të japë një zgjidhje. Pas studimeve shumë vjeçare zgjodhi gjirin e ngushtë e të gjatë të Vrouliás, për të krijuar një qendër, ku do të strehohen delfinët që ishin të robëruar. Kështu delfinët nën kontroll, por dhe në kushte të mbrojtura do të jenë në gjendje të rifitojnë instinktin e gjuetarit dhe më pas të lirohen në mjedisin e tyre natyror.

«Sot në të gjithë botën ndodhen në gjëndje robërimi 2.913 delfinë. Ne duam që ata të lirohen, sepse është vërtetuar shkencërisht, se si krijesa kanë një shkallë të lartë të inteligjencës dhe në robëri ata vuajnë» shpjegoi znj.Míliou, duke theksuar në të njëjtën kohë se «Qendra e parë në nivel botëror e Jetës Detare në Lipsi do të jetë modeli, me qëllim që të zhvillohen qendra të tjera të tilla në çdo skaj të planetit».