Në fokusin e Samitit të Lartë që zhvillohet sot për të dytën ditë në Bruksel janë çështjet e politikës së jashtme.

Udhëheqësit e 27 vendeve-anëtare do të diskutojnë çështjen e provokimeve turke pas zhvillimeve të fundit, pavarësisht nga fakti se nuk ishte në axhendën e Këshillit Evropian.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke shkuar dje në Samitin e Lartë theksoi se «Turqia vazhdon të jetë konsekuente në sjelljen e saj provokuese dhe agresive. Ndërsa BE-ja duhet të tregojë të njëjtën konsekuencë në zbatimin e vendimeve që tashmë ka marrë, në mënyrë që sjellja e Turqisë të ketë pasojat e duhura».

Gjithashtu presidenti francez Emmanuel Macron shpreh mbështetjen e Francës dhe deklaron se çështja e Turqisë po kthehet përsëri në tryezë «nën prizmin e zhvillimeve të fundit», ndërsa Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas e karakterizoi sjelljen e Ankarasë «të papranueshme».

Ndërkohë ultimatumi që i është dhënë qeverisë së Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, përfundon në muajin Dhjetor, kur ajo duhet të japë përgjigje në praktikë.

Udhëheqësit evropianë thirren të vendosin për hapat e ardhshëm të tyre. Gjithashtu për çështjen e Brexit, të 27-të udhëheqësit shprehën shqetësim sepse progresi që është bërë nuk është i mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje.
Në lidhje me ndryshimin e klimës, u bë një propozim për uljen e ndotjes atmosferike në 55% deri në vitin 2030.