Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ndodhet sot në Qipro, për të marrë pjesë në Samitin trepalësh midis Qipros, Greqisë dhe Egjiptit.

Në samitin tre-palësh që zhvillohet sot në Nikosia, do të diskutohen provokimet turke, prania e anijes Oruç Reyes, hapja e zonës bregdetare të Varrosias si dhe bashkëpunimi në fushën e energjisë, çështja e emigracionit dhe refugjatëve, situata në Siri dhe Libi dhe përhapja e pandemisë.

Para fillimit të bisedimeve të delegacioneve të tre vendeve, z. Mitsotakis do të ketë takime të njëpasnjëshme me presidentin e Republikës së Qipros, Níko Anastasiádi dhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.

Në këtë samit do të diskutohet edhe për agresivitetin e vazhdueshëm turk, i cili shfaqet jo vetëm përmes shpimeve dhe kërkimeve sizmike brenda Zonës Ekskluzive Ekonomike të Qipros, por dhe me vendimin e 5 Tetorit për hapjen e zonës bregdetare të Famagustës, në kundërshtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjithashtu, në qendër të Samitit do të jetë dhe çështja e Qipros. Presidenti i Qipros do të referohet në zhvillimet e fundit, por dhe në gatishmërinë dhe vendosmërisë e tij, për tu përgjigjur menjëherë në propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që të marrë një iniciativë të re për zgjidhjen e problemit.