Një rrip toke me gjatësi 4 km bashkon të dy pjesët e Skiros, pjesën veri-perëndimore dhe pjesën jug-lindore, që sipas një teorie, ishin dikur dy ishuj veçantë. Bazuar në këtë teori shpjegohet dhe diferenca e madhe që vihet re në dy pjesët e ishullit: pjesa veriore është e mbuluar me pyjet me pisha, që të kujtojnë ishujt e tjerë të Sporades, ndërsa pjesa jugore është më afër me morfologjinë e Ciklades.

Karakteristika e përbashkët e këtyre dy pjesëve të Skiros janë plazhet e bukura unike me ujërat kristal, rërën e artë dhe të pafund, në shumicën e rasteve, me gjatësinë e tyre – e cila është gjëja e parë që befason vizitorin. Nëse keni disa ditë në dispozicion, ju rekomandojmë që të vizitoni të gjitha plazhet, sepse secili prej tyre ka bukurinë e tij unike.

Ishulli më i madh i Sporades, Skiros, me traditën e madhe kulturore dhe ndryshimet dramatike në peisazhet e tij është ideal për pushime relaksuese, por dhe për eskursione alternative.

Trageti nga Pireu për tre orë e tridhjetë minuta do t’ju sjellë në portin e ishullit, në Linaria, i cili është i ndërtuar rreth gjirit me të njëjtin emër.

Nga porti do të merrni rrugën për në Hora-n e bukur, e cila është gjithashtu e ndërtuar në mënyrë amfiteatrale rreth kështjellës bizantine, që dominon në kodër. Tipari kryesor i këtij vendbanimi janë shtëpitë e famshme të Skiros me çatitë e sheshta dhe dekorimin e pasur të brendshëm. Mobiljet si skulptura prej druri janë vepra të vërteta të artit.

Ecni në rrugicat e ngushta dhe zbuloni dyqanet tradicionale, por dhe arkitekturën e veçantë të ishullit.

Duke ndjekur rrugën Megali Strata do të mbërrini në sheshin Qipro, i njohur si sheshi Brooke, ku dominon statuja e poetit anglez dhe mik i grekëve, Rupert Brooke, e cila është vepër e skulptorit Mihalis Tompros.

Vizitoni Muzeun Arkeologjik, poshtë kështjellës dhe shikoni gjetjet nga vendi arkeologjik i Palamarit, por edhe një sallë përkushtuar shtëpive të Skiros, që përfaqëson të gjitha dhomat e një shtëpie tipike tradicionale me dekorimin dhe mobiljet e saj. Kostume tradicionale, qëndisje dhe enë prej qeramike, do t’ju japin një pamje të plotë të traditës në Skiros.

Në kështjellën bizantine dominojnë rrënojat e mureve bizantine, ku ndodhet dhe kisha e Agios Jeorgios (Shën Gjergji).

Për zhytjet tuaj të verës ju presin shumë përzgjedhje, të tilla si plazhe me ujëra të pastra kristal, rërë e artë dhe peizazhe mahnitëse me pisha që arrijnë deri në det.

Plazhi i gjatë me rërë Pefkos është i rrethuar nga shpatet e mbuluar me pisha dhe plazhi Agios Fokas me guralecë të vegjël është i rrethuar me shkurre jo shumë të larta.

Plazhi me guralecë Atsitsas ka një bukuri të veçantë dhe plazhi me rërë Aspos, me pishat mënjanë, ka pak çadra dhe është relativisht i braktisur.

Ndër plazhet më të njohura të ishullit është dhe Kalamitsa, që tërheq shumë surfers. Pranë Horas do të gjeni plazhet radhazi me rërë Magazia dhe Molos, ndërsa plazhet Girismata dhe Kareflo janë ideale për familjet, pasi kanë çadra si dhe mundësitë për kafe dhe ushqim.

Mos harroni të shihni shpellat në det, në zonën detare pranë portit. Stalaktitet mbresëlënëse dhe hapjet e harkuara të shkëmbinjve do t’ju mahnisin. Nga porti, nisen anije turistike, që mund t’ju çojnë edhe në ishullin e vogël Sarakino me plazhin e bukur të Glyfadas.

Shijoni kuzhinën tradicionale të Skiros dhe peshkun e freskët në tavernat dhe uzeritë e ishullit, por dhe makaronat me prodhimet e detit, gjellën me gjel dhe makarona, japrakët dhe byrekun e famshëm me vaj dhe me djath të thartë.

Shenja e veçantë e ishullit janë kuajt e Skiros, që strehohen në hipodromin e bashkisë, në afërsi të Aherunes. Lartësia e tyre nuk i kalon 1,10 m dhe janë përfaqësuesit e fundit të racës së famshme pikermike të kuajve të epokës së paleolitit, të cilat ndodhen vetëm në Skiro dhe në ishujt Shetland, në Mbretërinë e Bashkuar.

Tradita e gjatë e ishullit është ruajtur përmes shumë zakoneve dhe traditave. Gjatë gjithë vitit organizohen aktivitete kulturore dhe shumë panaire në disa nga 365 kishat e ishullit.