Sipas një buletini më të ri të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik parashikohet që dëbora dhe moti shumë i ftohtë me emrin kodik «Sofia» do të mbizotërojnë në të gjithë vendin dhe më konkretisht në Maqedoninë Qendrore, Thessalí, Attikí, Évvoia dhe Sporádes, ngricë në mëngjes e në mbrëmje dhe erë e fortë në Egje.

Në dhjetra zona të rrjetit kombëtar dhe rajonal është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve. Ndërkohë është mbyllur dhe aksi kryesor rrugor, që lidh Évvoian Qendrore me Évvoian Veriore, ndërsa pa energji elektrike kanë mbetur 15 fshatra në Évvoian Veriore.

Moti i keq ka shkaktuar probleme në zonën Melivoías në Lárisa dhe në disa zona të Magnisías, të tilla si Pilio, Portariá dhe Makrinítsa.

Në qytetin e Volos janë shkaktuar probleme me energjinë elektrike në Agía Paraskeví, por dhe në sheshin Chrysochoḯdi, ku shërbimet e Koorporatës Elektroenergjitike DEH punojnë për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.

Për shkak të dëborës është mbyllur rruga Párnitha nga teleferiku dhe më lart si dhe rruga periferike Penteli – Nea Makri nga Spitali 414 Ushtarak e deri në dyqanin Panorama, në të dyja korsitë e lëvizjes së automjeteve.

Për arsye sigurie është ndaluar qarkullimi i kamionëve në Malakasa dhe në rrugën e vjetër kombëtare Athinë -Thiva në Vila.

Bashkia e Athinës disponon dy ambiente me ngrohje në rrugën Sofokléous numër 66 dhe në Klubin e Miqësisë Ampelokípon, në rrugën Panórmou numër 17, shumë afër stacionit të Metro-së «Ampelókipoi».