Qëndrimi provokues i Turqisë ishte në qendër të takimit të kryeministrit grek Kyriako Mitsotaki me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, dje në Athinë.

Z.Mitsotakis përsëriti se Greqia respekton të drejtën ndërkombëtare, siç tregojnë dhe marrëveshjet për Zonat Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin dhe Italinë.

Kreu i qeverisë greke duke biseduar me z. Lavrov, tha se dëshiron të informojë atë mbi veprimet e Turqisë, e cila shkel të drejtën ndërkombëtare dhe minon paqen në shumë zona të ndjeshme të hartës.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov nga ana e tij theksoi se, duhet sa më shpejt një ulje e tensionit në rajon, përmes një dialogu të drejtpërdrejtë midis të dy palëve dhe mesazhoi se Moska është e gatshme të ndihmojë në normalizimin e situatës.

Kryeministri grek shprehu kënaqësinë e tij për deklaratën e z.Lavrov, i cili tha se zgjerimi i ujërave territoriale në 12 milje është një e drejtë sovrane e pamohueshme e çdo shteti.

Gjithashtu, shefi i diplomacisë ruse u takua dhe me ish kryeministrin Aleksi Tsipra.

Lideri i SYRIZA-s theksoi rëndësinë që ka përfundimi i agresionit turk, për përparimin e kontakteve dhe rifillimin e bisedimeve për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të problemit të Qipros.