Një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të vendit, i fundit që u përfshi në listën e monumenteve të Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 2016, vendi arkeologjik Fílippoi Kavalas «udhëton» në Nju Jork përmes një ekspozite mbresëlënëse të fotografisë me titullin e përgjithshëm: «Fílippoi, një Monument i Trashëgimisë Evropiane».

Fílippoi ishte një qytet i lashtë i Maqedonisë Lindore me emrin origjinal Krinides dhe sot ndodhet në rrethin e Kaválas.

Drejtoria e Antikiteteve të Kaválas dhe Thasos si dhe Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Nju Jork organizojnë këtë ekspozitë të veçantë të fotografisë, duke u dhënë mundësi grekëve të qytetit të madh amerikan, por edhe qytetarëve amerikanë, të vizitojnë një ambient historik me rëndësi të shumëanshme për historinë botërore dhe përhapjen e krishterimit.

Beteja e Fílippoi që u bë në vitin 42 para Krishtit (kundërshtarët ishin nga njëra anë, Oktavianós dhe Márkos Antónios dhe nga ana tjetër Vroútos dhe Kássios) përcaktoi historinë politike të shtetit romak. Gjithashtu, ardhja e Apostólou Pávlou dhe themelimi i komunitetit të parë të krishterë në Evropë ishte thelbësore për zhvillimin e Krishterimit në një fe botërore.

Qëllimi i ekspozitës është që të paraqesë historinë e Fílippoi dhe rajonit më të gjerë nga kohët parahistorike deri në ditët e sotme.

Ekspozita është hapur në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë nga data 8 Janar 2019 dhe do të vazhdojë deri më 4 Shkurt 2019.

Zona e Fílippoi është banuar nga vendas që nga epoka neolitike pa ndërprerje dhe ndodhet në vendin Dikli Tas – në juglindje të vendbanimit aktual. Historia e vendbanimit të Fílippoi fillon në vitet 360/359 para krishtit, kur kolonizatorë nga Tháso themeluan qytetin e parë, Krinídes. Kur në vitin 356 para krishtit kërcënohen nga thrakiotët kërkojnë ndihmën e Filipit të II-të, babait të Aleksandrit të Madh. Ai, duke parë rëndësinë ekonomike dhe strategjike të qytetit, e pushton, e forcon dhe e riemëron Fílippoi.