Me fjalimet e liderëve të partive dhe me votimin për dhënien e votëbesimit për qeverinë e re përfundoi dje në mesnatë në Parlament diskutimi tre-ditor mbi deklaratat programatike të qeverisë.

PO votuan 158 deputetët e Demokracisë së Re dhe 142 deputetë të partive të tjera që përfaqësohen në Parlament, votuan kundër tyre.

Kryeministri Kyriákos Mitsotákis pas përfundimit të debatit tha se do të nderojmë besimin e popullit grek dhe do të punojmë çdo ditë me një qëllim kryesor: që të bëjmë më të mirë jetën e popullit grek.

Në debatin tre-ditor dominuan çështjet e ekonomisë, të sigurisë, Marrëveshja e Prespës dhe çështje për funksionimin e shtetit dhe institucioneve.

Ish kryeministri dhe Lideri i SYRIZA-s Aleksis Tsipras gjatë diskutimit për deklaratat programatike në parlament theksoi se qeveria jep shumë pak për shumicën e popullit dhe shumë për pakicën.

Z.Tsipras paralajmëroi qeverinë të mos tentojë të bëjë «lojëra akrobatike me Kushtetutën» për ligjin zgjedhor.

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshimin, Fófi Gennimatá gjatë fjalimit të saj në parlament tha se politika qeveritare është thellësisht konservatore dhe kërkoi përgjigje të qarta dhe angazhime konkrete për zhvillimin ekonomik, shtetin social dhe rivendosjen e ardhurave të humbura nga kriza ekonomike.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Greke, Dimítris Koutsoumbas gjatë fjalimit të tij theksoi se ekziston thjesht një ndryshim i stafetës ndërmjet SYRIZA-s dhe Demokracisë së Re.

Kryetari i partisë «Ellinikí Lýsi» Kyriákos Velópoulos i bëri thirrje qeverisë të anulojë Marrëveshjen e Prespës.

Lideri i lëvizjes «Méra25» Giánis Varoufákis tha se partia e tij erdhi në parlament, për të zhdukur populizmin.