Zëvendës ministri i Jashtëm për Grekët e Diasporës, Antonis Diamataris dhe ambasadori amerikan Geoffrey Pyatt u takuan sot në një klimë të përzemërt.

Ambasadori amerikan duke konfirmuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve greko-amerikane, u referua ndër të tjera për takimin e fundit të sekretarit amerikan të Shtetit me homologun e tij grek në SHBA, nisjen e dialogut strategjik midis Greqisë dhe SHBA-së dhe veçanërisht për klimën optimiste që është krijuar për Greqinë në Uashington.

Zëvendës ministri i Jashtëm grek Andonis Diamataris nga ana e tij falënderoi z.Pyatt për këtë takim, duke i bërë të ditur se ai është ambasadori i parë që kërkoi të takohet me të dhe theksoi rëndësinë që i jep marrëdhënieve greko-amerikane, pasi ka jetuar për shumë vite në SHBA.

Duke përfunduar, z.Diamataris kërkoi bashkëpunimin e ambasadorit amerikan, në mënyrë që të trajtojnë së bashku çështjen e kujdesit shëndetësor për greko-amerikanët, që kalojnë pushimet në Greqi. Z.Pyatt tha se askush deri tani nuk e kishte informuar atë për këtë çështje dhe premtoi se do ta shqyrtojë.

Gjithashtu, zëvendës ministri i jashtëm grek ftoi ambasadorin amerikan të vizitojë vendlindjen e tij, ishullin Límno, një ftesë që u pranua me kënaqësi dhe premtoi se në të ardhmen e afërt do të bëj një vizitë në të.